Pamje drejtpërdrejt: Shpërthen prapë vullkani në Islandë, lava deri në 80 metra në ajër - NACIONALE

Pamje drejtpërdrejt: Shpërthen prapë vullkani në Islandë, lava deri në 80 metra në ajër

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një vullkan në Islandë shpërtheu të enjten për herë të dytë këtë vit, duke hedhur lavë deri në 80 metra lart në ajër. Ky është shpërthimi i gjashtë i vullkanit në Gadishullin Reykjanes nga viti 2021.

Në pamje të drejtpërdrejta nga vendi i vullkanit u pa lava duke u shpërndarë nëpër tokë, në kontrast të madh me qiellin ende të errët natën, raporton agjencia “Reuters”.

“Paralajmërim: Një shpërthim vullkanik nisi në veri të Sylingarfell-it” – thuhet në uebfaqen e zyrës meteorologjike të vendit.

Aktiviteti intensiv i dridhjes së tokës nisi rreth orës 5 e 30 minuta në mëngjes, ndërsa shpërthimi i vullkanit filloi rreth 30 minuta më vonë, thuhet më tej në njoftim.

Shpërthimi i mëparshëm në këtë zonë kishte nisur më 14 janar dhe kishte zgjatur rreth dy ditë. Lava kishte arritur deri në periferi të qytezës Grindavik, rreth katër mijë banorët e së cilës ishin evakuuar. Disa shtëpi ishin kapluar nga flaka.

Shpërthimi i së enjtes ndodhi më larg Grindavik-ut dhe kishte më pak gjasa për të paraqitur rrezik të drejtpërdrejtë ndaj qytezës, tha gjeologu islandez, Ari Trausti.

Lajme të ngjashme