Paçarizi me minus 6 mijë vota: Nuk kam pasur asnjë ndikim, distancohem
Kandidati i PDK-së për deputet, Fetah Paçarizi, ka reaguar pas zhvillimeve të ditëve të fundit në procesin e rinumërimit të votave, ku vetëm në rastin e tij deri tani janë konstatuar rreth 6 mijë vota më pak krahasuar me rezultatet fillestare. Ai e ka cilësuar situatën si serioze dhe shqetësuese, duke theksuar se ritmi i të dhënave që po dalin nga QNR ngre dyshime të arsyeshme mbi integritetin e procesit zgjedhor.
Paçarizi kërkoi rinumërim të plotë të të gjitha votave në nivel vendi, përfshirë ato të diasporës, me arsyetimin se vetëm transparenca e plotë mund të qartësojë çfarë ka ndodhur dhe të rikthejë besimin e qytetarëve. Ai tha se është i ri në politikë, nuk ka mbajtur poste dhe nuk ka pasur ndikim në procedurat e numërimit, duke u distancuar nga çdo mundësi manipulimi që mund të jetë bërë në emrin e tij.
Sipas tij, përgjegjësia për situatën bie mbi institucionet shtetërore, të cilat duhet të veprojnë menjëherë. Paçarizi u bëri thirrje Prokurorisë së Shtetit që të nisë hetime të plota e profesionale, ndërsa kërkoi nga KQZ të japë llogari publike për çdo veprim gjatë procesit të numërimit dhe rinumërimit.
“Gabimi apo manipulimi i këtij niveli është përgjegjësi shtetërore,” deklaroi ai, duke insistuar se çdo parregullsi duhet të sqarohet deri në fund dhe secili person përgjegjës duhet të përballet me ligjin.