'Pa dyshim': Trajkoviq thotë se nëse i kërkohet, do të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës
Rada Trajkoviq nga Lëvizje Evropiane e Serbëve, ka thënë se pranon të bëhet deputete e Kuvendit të Kosovës, në rast se vendos kështu Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve.
Trajkoviq në “RTK Prime”, ka thënë se një pozitë të tilla do ta pranonte pa ndonjë dyshim.
“Po, pa mëdyshje”, u përgjigj shkurt ajo.
Vlen të theksohet se deputetët e Listës Serbe, janë larguar nga institucionet e Kosovës, duke përfshirë këtu edhe nga Kuvendi dhe Ministria për Kthim dhe Komunitete.
Po ashtu, edhe kryetarët e komunave në veri të vendit kanë dhënë dorëheqje nga këto pozita, dhe për këtë arsye, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka shpallur zgjedhje te jashtëzakonshme më 18 dhjetor në atë pjesë të vendit.
Ndërkaq, Komisioni Qëndror Zgjedhor para disa ditësh, zëvendësoi deputetët e dorëhequr, me të tjerët që ishin në pritje. Nëntë deputetë të tjerë, janë të Listës Serbe dhe një nga inciciativa qytetare, SPO.
Në rast, se të tjerët nga Lista Serbe nuk pranojnë këto pozita, atëherë KQZ i zëvendëson me të tjerë.
