OVL-UÇK për fjalët përmbyllëse të ish-krerëve të UÇK-së: Dinjitozë dhe të pathyeshëm ndaj çdo padrejtësie - NACIONALE

OVL-UÇK për fjalët përmbyllëse të ish-krerëve të UÇK-së: Dinjitozë dhe të pathyeshëm ndaj çdo padrejtësie

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Anëtarët e Organizatës së Veteranëve të Luftës ndoqën sotnga afër fjalimet përmbyllëse të ish-krerëve të UÇK-së në Dhomat e Specializuara të Hagës. Nënkryetari i OVL-UÇK-së, Fatmir Sopi, e vlerësoi qëndrimin e të akuzuarve si një përballje dinjitoze dhe të patrembur me të vërtetën.

Në një prononcim për KosovaPress, Sopi u shpreh se këto fjalime ishin dëshmi e qartë e atdhedashurisë dhe e qëndresës së tyre.

“Ishte një përmbledhje e veprimtarisë atdhetare të secilit. Ishte një prononcim para një trupi gjykues e gjithë asaj, pa frikë dhe pa fshehur asgjë, duke treguar të vërtetën dhe angazhimin e tyre për çlirimin e vendit. Vërtet çlirimtarë, dinjitozë dhe të pathyeshëm ndaj çdo padrejtësie që po u bëhet gjatë këtij procesi të stërzgjatur gjyqësor…Vërtet patëm emocione dhe kemi prapë emocione, edhe tash jemi nën emocione, sepse e dimë të kaluarën e tyre, e dimë aktivitetin e tyre, e dimë fuqinë e tyre dhe luftën e tyre të drejtë, si dhe motivet që na kanë dhënë si në luftë, si në shtet formim, si sot”, deklaroi Sopi.

Ai përsëriti bindjen se akuzat burojnë nga Beogradi, duke shtuar se, pavarësisht padrejtësive, ish-krerët shfaqën besim te procesi gjyqësor.

“E sot, besoj se ata janë të bindur edhe në drejtësi, sepse e thanë të katërtit se edhe pse na është bërë padrejtësi, ne kemi besim të plotë në drejtësi dhe kërkuan nga trupi gjykues që të vendosë vetëm pa emocione, por vetëm në bazë të fakteve dhe të dëshmive që posedon ajo gjykatë”, përfundoi ai.

Lajme të ngjashme