Osmani viziton dy familje në Janjevë, urime për Krishtlindje
Në prag të festave të fundvitit, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka vizituar familjet Vjekoslav Tošić dhe Anton Gashi nga komuniteti kroat në Janjevë, për t’u përcjellë urimet më të sinqerta dhe frymën përbashkuese të Krishtlindjes.
Në postimin e saj, Osmani thekson se festat e fundvitit kujtojnë se paqja, dashuria dhe shpresa janë vlera që jetojnë në familjet tona dhe në traditën tonë të përbashkët për kremtimin e festave, të cilat duhet të ndahen me respekt dhe mirëkuptim.
“Kosova jonë është më e fortë pikërisht falë kësaj fryme bashkëjetese, mikpritjeje dhe solidariteti, që na ka mbajtur të lidhur ndër breza,” shkruan Osmani, duke falënderuar familjet për mikpritjen e ngrohtë.
Presidentja e ka konsideruar këtë takim si një mundësi për të riafirmuar vlerat e bashkëjetesës dhe solidaritetit ndërmjet komuniteteve në Kosovë.