Osmani: Ta kthejmë Kosovën në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare, aty ku ishte para pak kohësh
Kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për një mandat të ri presidencial, Vjosa Osmani, deklaroi gjatë një tubimi elektoral në Fushë Kosovë se vendi duhet ta rikthejë rolin aktiv në arenën ndërkombëtare.
Para qytetarëve dhe mbështetësve, Osmani theksoi se forcimi i pozitës së Kosovës në raport me partnerët ndërkombëtarë dhe institucionet globale mbetet një nga prioritetet kryesore të programit të saj politik.
“Ta rikthejmë Kosovën në qendër të vendimmarrjes ndërkombëtare, aty ku ishte para pak kohësh”, u shpreh Osmani, duke nënvizuar rëndësinë e bashkëpunimit të vazhdueshëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Bashkimin Evropian dhe NATO-n.
Sipas saj, Kosova duhet të rikthejë besueshmërinë dhe ndikimin diplomatik përmes stabilitetit institucional dhe një politike të jashtme të koordinuar ngushtë me aleatët perëndimorë.