Osmani: Plani im 9-pikësh për deskalimin e situatës në veri u bë plan edhe i Qeverisë së Kosovës
Në një intervistë për “Kallxo Pernime”, kandidati për president të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, ka treguar përpjekjet e tij për të ndihmuar në situatën e tensionuar në Kosovë gjatë kohës kur ai ka qenë kryesues i OSBE-së.
Osmani ka bërë të ditur se ai personalisht ka hartuar dhe paraqitur planin e 9 pikësh për deeskalim në veri të Kosovës, duke e bërë atë një dokument që, sipas tij, është marrë seriozisht nga Qeveria e Kosovës.
“Fillimisht kam qenë në vizitë në Prishtinë. Përveç takimit me presidenten, kryeministrin, ministren e jashtme, me kryeministrin vizituam edhe Akademinë për policë, ku i përshëndetem policët e rinj përfshirë edhe ata të komuniteteve. Për së dyti pastaj dola me planin 9 pikësh për deeskalim në veri të Kosovës, si kryesues i OSBE-së për shkak se me vendim të OSBE-së është vështirë të merren vendime për shkak se janë me konsensus atje dhe prandaj shfrytëzova mandatin tim si kryesues që të dal me planin 9 pikësh i cili pastaj u bë edhe plan i Qeverisë së Kosovës për deeskalim, përfshirë këtu shpalljen e zgjedhjeve dhe normalizimin e situatës atje”, pohoi ai.