Osmani pas nënshkrimit të marrëveshjes me USAID-in: Sa herë punojmë me SHBA-në, shteti ynë përfiton
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, dhe USAID kanë nënshkruar marrëveshjen e grantit në vlerë prej 34.5 milionë dollarësh.
Pas nënshkrimit, Osmani dhe ambasadori i SHBA-së në Kosovë, Jeff Hovenier, kanë mbajtur konferencë për media.
Osmani ka thënë se marrëveshja e nënshkruar ka synim shërbime më të mira për qytetarët tanë.
“Sot nuk është aspak ndryshe; marrëveshja që sapo nënshkruam me Shtetet e Bashkuara dhe USAID-in është edhe një rikonfirmim drejt vizionit tonë të përbashkët për një të ardhme më të mirë dhe më të qëndrueshme për të gjithë qytetarët tanë pa dallim. Amendamenti i marrëveshjes, granti për objektivat zhvillimore, në një vlerë shtesë prej 34.5 milionë dollarësh, i cili në total e çon vlerën e marrëveshjes në 142.6 milionë dollarësh, do të mbështesë projekte të cilat synojnë shërbime më të mira për qytetarët tanë nga institucionet llogaridhënëse dhe efektive të qeverisjes, si edhe rritje të mundësive për pjesëmarrje gjithëpërfshirëse demokratike dhe ekonomike,” – ka thënë Osmani.
“Sa herë punojmë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, qytetarët tanë dhe shteti ynë përfitojnë,” – ka përfunduar Osmani.
