Osmani me u.d ambasadoren amerikane: Kosova e përkushtuar të ec krah për krah me ShBA-në
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka pritur sot në takim të Ngarkuarën me Punë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Anu Prattipati.
Sipas Presidencës, gjatë takimit u diskutua mbarëvajtja e zgjedhjeve parlamentare dhe përmbushja e standardeve më të larta demokratike, proces që u vlerësua pozitivisht nga të dyja palët. U theksua gjithashtu rëndësia e konstituimit sa më të shpejtë të institucioneve të reja, në përputhje të plotë me Kushtetutën e Kosovës.
Presidentja Osmani dhe Prattipati shkëmbyen pikëpamje edhe për çështje të tjera të bashkëpunimit bilateral, duke riafirmuar partneritetin strategjik mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Kosova mbetet e përkushtuar të ecë përpara krah për krah me SHBA-të, mbi bazën e besimit të ndërsjellë dhe vlerave të përbashkëta”, thuhet në njoftim.
Gjatë takimit, Prattipati i përcolli Presidentes Osmani dhe Zotërisë së Parë urimet për Vitin e Ri nga Presidenti amerikan Donald Trump dhe Zonja e Parë, Melania Trump.