Osmani kritikon gjashtëshen e LDK-së, arsyeton Kurtin: Thotë se ai s'mbajti inate personale - NACIONALE

Osmani kritikon gjashtëshen e LDK-së, arsyeton Kurtin: Thotë se ai s'mbajti inate personale

1 orë më parë

nga NACIONALE

Në një intervistë ku u përball me shumë pyetje nga gazetari Adriatik Kelmendi në emisionin “Rubikon”, Vjosa Osmani e Lidhjes Demokratike të Kosovës tha shumë fjalë kundër gjashtëshes së kësaj partie, e cila ka njoftuar se nuk ka votë për Bekim Sejdiun president. Në anën tjetër, ajo ka përmendur Albin Kurtin, i cili e la jashtë presidencës, duke thënë se “ai nuk mbajti inate personale”.

Sipas Osmanit, gjashtë deputetët e LDK-së “e kanë fuqizuar më shumë Kurtin”:

“Ata që po thonë ‘jemi kundër Kurtit’ po e fuqizojnë atë më shumë. Edhe sikur të shkonim në zgjedhje, përsëri do të detyroheshim të vinim në këtë pikë. Do të humbte kohë, buxhet, imazh, mbështetje ndërkombëtare, do të rrezikohej siguria nacionale”.

Ish-presidentja e Kosovës u shpreh se disa prej këtyre deputetëve nuk do të votonin as nëse emri i propozuar do të vinte nga LDK-ja.

“Nga ajo çfarë dëgjova në mbledhjen e fundit të GP të LDK-së, nuk pashë sinqeritet te disa deputetë. Janë procese tepër delikate, prishet puna pastaj te partia tjetër. Unë jam e bindur se edhe sikur t’i takonim, edhe sikur t’i lusnim e ta diskutonim emrin më herët, do ta kishim rezultatin e ngjashëm, ndoshta jo gjashtë, por katër.

Nuk do të kishte fare rëndësi kush është emri, do ta bllokonin çdo emër. Nuk ka pasur fare rëndësi sa përpiqesh, për çfarë emri flet. Për dy prej tyre, edhe sikur të ishte president i LDK-së, thanë se nuk do ta votonim”, ka thënë ajo.

Tutje, ajo deklaroi se deputetët në fjalë nuk e argumentuan se po e mbrojnë interesin e Kosovës, derisa përmendi rastin e Kurtit për vendimin e Gjykatës Kushtetuese, duke lënë të kuptohet se “ai nuk mbajti inate personale”.

“Le ta shpjegojnë, nuk kam dëgjuar argumente të tilla se po e mbrojnë interesin e Kosovës. Nëse përdoret një argument personal, për ashtu do të duhej të mbante edhe Kurti inate personale. I njëjti vendim, ku Sejdiu ishte gjyqtar raportues, ia ka ndaluar edhe atij, ka përdorur edhe parimet e njëjta për të gjithë”, tha ajo.

Ndërkohë, gjatë intervistës së njëjtë, Osmani u nervozua me pyetjet e gazetarit në fjalë.

“Për këtë po e them, mosmenaxhim i mirë i procesit po ju lë juve si LDK duke e shigjetuar njëri-tjetrin”, u shpreh gazetari.

Këtu ndërhyri Osmani duke thënë: “Tash je tu folë veç vetë, duhesh me u ndalë. S’je tu më lanë hapësirë me u përgjigj”.

“A mund të shtroj pyetje apo s’mund?”, tha Kelmendi.

“Tanë kohën po jep konstatime pa ma dhënë mundësinë për me u përgjigj”, u shpreh Osmani më pas.

Lajme të ngjashme