Osmani: Kosova nuk ka toleruar kurrë dikë që synon ta kontrollojë gjithçka
Ish-presidentja Vjosa Osmani ka folur për zhvillimet politike në Kosovë dhe mesazhin që, sipas saj, qytetarët e kanë dhënë përmes procesit zgjedhor të 7 qershorit.
Në një intervistë për televizionin turk “TRT”, Osmani tha se Kosova ka ndërtuar traditë demokratike që nuk e pranon përqendrimin e pushtetit në duart e një subjekti apo individi.
“Kosova është demokraci shumë e konsoliduar. Nuk ka toleruar kurrë dikë që do të kontrollojë gjithçka. Pra, mendoj se është një parim që vlen për të gjithë, jo për ndonjë parti në veçanti. Është thelbësore që zëri i popullit ka treguar qartë se partitë politike të gjejnë kompromis dhe të qeverisin së bashku dhe jo vetëm”.
Sipas saj, dalja nga ngërçet politike kërkon vendosjen e interesit kombëtar mbi interesat partiake.
“Historia ka treguar se sa herë partitë politike në Kosovë e kanë vendosur interesin kombëtar në vend të parë dhe u ulën dhe kanë gjetur zgjidhje për të çuar përpara këto interesa kombëtare gjithmonë ka pasur zgjidhje që kanë qenë në të mirë të vendit dhe të popullit”, shtoi ajo në këtë intervistë.