Osmani flet me emisaren britanike për Ballkanin: I shpreha shqetësimin për ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në zgjedhjet tona
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, është takuar të hënën me emisaren e posaçme britanike për Ballkanin Perëndimor, Dame Karen Pierce, me të cilën ka diskutuar zhvillimet e fundit politike në vend.
Në njoftimin e saj në platformën “X”, Osmani ka theksuar se një nga temat kryesore të bisedës ishin zgjedhjet lokale të mbajtura së fundmi, të cilat ajo i cilësoi si dëshmi të pjekurisë demokratike të qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës.
Gjatë telefonatës, Osmani tha se ka ngritur edhe shqetësimin për, siç u shpreh ajo, “ndërhyrjet e paligjshme të Serbisë në procesin zgjedhor”, duke theksuar se këto veprime përbëjnë një goditje ndaj vetë themeleve të demokracisë në vend.
Njoftimi:
Dje bisedova me zonjën Dame @KarenPierceUK, të dërguarën e posaçme të Mbretërisë së Bashkuar për Ballkanin Perëndimor.
Diskutuam për zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë – një proces i rëndësishëm demokratik që edhe një herë dëshmoi profesionalizmin e institucioneve tona dhe përkushtimin e qytetarëve ndaj demokracisë.
Shpreha shqetësimin e thellë për ndërhyrjen e paligjshme të Serbisë në zgjedhjet tona, përmes veprimeve që godasin vetë thelbin e demokracisë. Një sjellje e tillë destabilizuese duhet të përballet me një reagim të qartë dhe të bashkuar nga të gjithë partnerët tanë ndërkombëtarë.
Gjithashtu diskutuam për hapat e ardhshëm drejt formimit të Qeverisë dhe avancimit të agjendës sonë të përbashkët strategjike dypalëshe.