Osmani dekoron me Urdhrin e Lirisë ish-kongresistin Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, e cila po qëndron në New York ku po mbahet sesioni i 78-të i Asamblesë së Kombeve të Bashkuara, në një ceremoni të mbajtur në Konsullatën e Kosovës, ka dekoruar me Urdhrin e Lirisë, ish-kongresistin, ish-kreun e Ligës Shqiptaro-Amerikane, mikun e madh të Kosovës, Joe DioGuardi dhe aktivisten Shirley Cloyes DioGuardi.
Zyra e Presidentes ka bërë të ditur se Osmani ka thënë se Urdhri është falënderim i qytetarëve të Kosovës ndaj punës së palodhshme së tyre, për kontributin e jashtëzakonshëm dhe angazhimin e pandërprerë për lirinë, demokracinë, dhe pavarësinë e Kosovës dhe si avancimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe SHBA-ve.
“Ju keni qenë zëri ynë në kohë të errëta! Ju keni qenë shpresa jonë në kohën e pashpresë. Ju keni qenë katalizator të afirmimit të kërkesave tona kudo në botë, ndaj liria jonë bartë edhe firmën tuaj.” – ka thënë Osmani.
Dekorimi i Joe DioGuardi ka përkuar me ditëlindjen e tij të 83-të, të cilin e uroi Osmani dhe theksoi se “Joe personifikon Amerikën, aleaten tonë të përhershme, ashtu siç na la amanet presidenti historik dr.Ibrahim Rugova”.
Sipas Osmani, Joe dhe Shirley janë kontribues të jashtëzakonshëm dhe miq të mëdhenj të Kosovës.
“Ju të dy keni nga nje vend të posaçëm në zemrën e secilit kosovar! Ju na përkujtoni sa e zorshme ka qenë lufta jonë për të drejta, liri dhe pavarësi. Ju na kujtoni se pa mbështetjen e miqve nuk arrihen rezultate, ndaj zoti i bekoftë SHBA-të, zoti e bekoftë miqësinë tonë të përjetshme.” – ka përfunduar Osmani.
