Opozita tallet me Haxhi Avdylin: Kot e ke, s`kanë me t'ba ministër
Deputetët e partive opozitare janë tallur me deputetin e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Haxhi Avdyli, të cilit shpeshherë është përmendur si kandidat për ministër të Shëndetësisë.
Në debatin për shëndetësinë që po zhvillohet sot në Kuvend, deputeti Avdyli është treguar mjaft aktiv.
Kjo ka nxitur reagimin e deputetëve të opozitës.
Deputeti i PDK-së, Ardian Kastrati, i ka thënë deputeti Avdyli se mund të flas sa të do, por ministër nuk do ta bëjnë.
“Edhe për doktorin Haxhi Avdyli respekt të veçantë, por badihava e ki, o doktor. Fol sa të dush se nuk kanë më të ba ministër”, ka thënë Kastrati.
Me pas, me Avdylin ka ironizuar edhe deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami.
“LDK-ja nuk mundet më ua zgjedh ministrin e Shëndetësisë. Ne mundemi me iu rekomandu që me e ba Haxhi Avdylin, por nuk e besoj që e merrni rekomandimin tonë” ka thënë Bajrami.
Kjo ka nxitur reagimin e deputetit Haxhi Abdyli, duke thënë se në politikë nuk është për poste, por për kauza.
“Ka kaluar koha kur ju keni rekomanduar, unë nuk jam më pjesë e LDK-së. Unë jam krenar për të gjithë të kaluarën time profesionale. Në të njëjtën kohë, unë në politikë nuk jam për poste, jam për kauza dhe do të kontribuoj për aq sa mundëm për shëndetësinë edhe nga kjo pozitë. Mendoj se respektin e kemi reciprok. Edhe unë iu konsideroj si eksperte të mirë të ekonomisë. Asnjëherë, as ti nuk ke qenë në pozitë e as unë nuk kam qenë në pozitë për të rekomanduar në ndonjë pozitë. Kështu që, këto ironi i leni për tjetër kund”, ka thënë Avdyli.
Ndërsa, deputetja Bajrami ka vazhduar ironinë me deputetin Avdyli.
“Z. Avdyli nuk e di sa e kuptuar kontekstin e propozimi tim, por mendoj se kjo deklarata e juaja e fundit ka me e heq atë ngërçin dhe kryeministri ka me e caktu shumë shpejtë ministrin e Shëndetësisë”, ka thënë deputetja Bajrami.