Olena Zelenska bën thirrje për gjykatë të stilit Nuremberg, kërkon mbështetjen e Britanisë së Madhe
Gruaja e Volodymyr Zelensky, Olena Zelenska, ka bërë thirrje që presidenti i Rusisë, Vladimir Putin dhe liderët e tjerë të vendit të gjykohen në një gjykatë të krijuar posaçërisht për krimet e luftëës.
Në një vizitë në parlamentin e Mbretërisë së Bashkuar, ku mbajti një fjalim para një audiencë private që përfshinte ish-kryeministrin Boris Johnson dhe liderin laburist Keir Starmer, raportohet se ajo ka bërë thirrje për mbështetjen britanike në krijimin e një tribunali të stilit të Nurembergut.
“Ne duhet të fillojmë gjykatën speciale për krimin e agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, e cila do të përmirësojë punën e Gjykatës Penale Ndërkombëtare dhe jo do ta dobësojë atë”, është shprehur Zelenska.
Ajo më tej ka shtuar se, “ne duhet të bashkojmë komunitetin botëror ashtu siç ndodhi në janar 1942 për të mbështetur gjykatën speciale për agresionin e Rusisë kundër Ukrainës.”
“Unë po ju kërkoj një favor të vogël për t'u bërë lider botëror në përpjekjet për drejtësi,” ka thënë ajo.
Sipas The Guardian, Zonja e Parë e Ukrainës ka vizituar gjithashtu një ekspozitë të posaçme fotografike të ngritur në parlament që dokumenton krimet ruse të luftës kundër civilëve, të mbështetur nga Fondacioni Pinchuk, i cili është krijuar për të mbledhur mbështetjen e parlamentarëve britanikë për krijimin e një tribunali ndërkombëtar dhe do të kërkonte mbështetjen e OKB-së dhe disa shteteve kyçe.
