Oda Ekonomike Amerikane i kërkon ZRrE-së ta pezullojë vendimin për ‘liberalizimin e tregut’
Oda Ekonomike Amerikane, i ka kërkuar ZRrE-së që ta pezulloj vendim/njoftimin për ti shkyqur dhunshëm bizneset nga ‘universa’, e për të dalë në atë që quhet ‘treg i lirë’.
Sipas Odës Ekonomike Amerkikane ZRrE duhet të reflektoj, sidomos pas vendimeve të gjykatave, në dy ditët e fundit.
“Oda Ekonomike Amerikane përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE). Në të paktën dy raste të ndara, Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur në favor të kompanive individuale që kontestojnë vendimet e ZRRE-së, duke pezulluar kështu zbatimin e tyre deri në dhënien e një vendimi përfundimtar”, thuhet në komunikatën e OEAK-ut.
Sipas OEAK-ut ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se dy gjyqtarë të ndryshëm, në raste të ndara gjyqësore, kanë arritur në të njëjtin përfundim, pezullimin e vendimeve të ZRRE-së në pritje të akgjykimeve përfundimtare.
“Kjo qasje e qëndrueshme gjyqësore reflekton shqetësimet në lidhje me ndikimin potencial të këtyre vendimeve në treg, dhe si e tillë nuk mund të injorohet si rastësore ose specifike për një a dy raste. Edhe pse këto aktvendime aktualisht zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, implikimet e tyre shtrihen shumë më tej. Vazhdimi i zbatimit të masave të liberalizimit nga ana e ZRRE-së, derisa dy kompani aktualisht përfitojnë nga pezullimet e urdhëruara nga gjykata e të tjerat mbeten në pritje të aktvendimeve gjyqësore ose nisjes së procedurave ligjore, krijon një mjedis të pasigurisë juridike dhe të diskriminimit ekonomik”, thekson tutje OEAK në komunikatë.