Oda Amerikane e shqetësuar me marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët - NACIONALE

Oda Amerikane e shqetësuar me marrëdhëniet aktuale të Kosovës me aleatët

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Oda Ekonomike Amerikane është shprehur e shqetësuar për moskordinimin e Qeverisë së Kosovës me aleatët e saj si SHBA-në dhe BE-në dhe shqetësimet e këtyre të fundit ndaj çështjeve të ndryshme në vend.

Oda Amerikane ka thënë se dështimi i anëtarsimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare siç ishte Këshilli i Evropës tregon qartë rënien e mbështetjes, duke shtuar se suksesi i Kosovës gjithmonë ka qenë i lidhur me marrëdhëniet e saj me partnerët dhe vetëm me marrëdhënie të mira Kosova dërgon sinjal të stabilitetit.

“Oda Amerikane është veçanërisht e shqetësuar me deklaratat e partnerëve kryesorë të Kosovës në lidhje me zbehjen e entuziazmit për mbështetjen e rrugës euroatlantike të Kosovës dhe forcimin e subjektivitetit të saj ndërkombëtar, duke përfshirë anëtarësimin e saj në organizatat ndërkombëtare. Dështimi i fundit për të siguruar anëtarësimin në Këshillin e Evropës është një shembull i qartë i rënies së mbështetjes.”

“Suksesi i Kosovës në skenën ndërkombëtare ka qenë gjithmonë i lidhur ngushtë me marrëdhëniet e forta që ajo ka kultivuar me aleatët e saj. Këto partneritete jo vetëm që kanë forcuar pozitën politike të Kosovës, por gjithashtu kanë qenë jetike në nxitjen e rritjes ekonomike. Kur Kosova vepron në përputhje me pritjet dhe udhëzimet e partnerëve të saj strategjikë, ajo dërgon një sinjal të fuqishëm të stabilitetit, besueshmërisë dhe përkushtimit ndaj vlerave të përbashkëta, cilësi këto thelbësore për tërheqjen dhe ruajtjen e investitorëve.”, thuhet në deklaratë.

Oda Amerikane ka shtuar se veprimet kundër këshillave të partnerëve mund të çojnë në izolimin e Kosovës në skenën ndërkombëtare, dhe kjo sipas OEA-së mund të dekurajojë investitorë të cilët kërkojnë garanci për stabilitet politik dhe ekonomik.

“Veprimet e pakoordinuara, veçanërisht ato që janë në kundërshtim me këshillat e aleatëve kryesorë, rrezikojnë ta izolojnë Kosovën në skenën ndërkombëtare dhe të dobësojnë pozitën e saj në negociatat e rëndësishme. Ato gjithashtu mund të krijojnë një mjedis pasigurie që mund të dekurajojë investitorët potencialë, të cilët kërkojnë garanci se klima politike dhe ekonomike është e qëndrueshme dhe e parashikueshme. Mbështetja e bashkësisë ndërkombëtare ka qenë e rëndësishme në përparimin e Kosovës dhe çdo cenim i kësaj mbështetjeje mund të ketë pasoja me shtrirje të gjerë, si për ambiciet diplomatike ashtu edhe për ato ekonomike të vendit.”

“Gjithashtu, Oda Amerikane është thellësisht e shqetësuar me diskursin e promovuar nga Qeveria, i cili po i kontribuon sentimenteve jomiqësore ndaj partnerëve ndërkombëtarë të Kosovës. Një retorikë e tillë është e rrezikshme dhe mund të minojë ndjenjat e forta proamerikane dhe properëndimore që janë pasqyruar vazhdimisht në sondazhet e organizatave të njohura, duke përfshirë edhe atë të kryer së fundmi nga Instituti Republikan Ndërkombëtar. Çdo përkeqësim në këtë aspekt mund të ketë implikime serioze për të ardhmen e Kosovës, ndërsa qeveria aktuale duhet të jetë e vetëdijshme se do të mbajë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për çdo gërryerje të këtij besimi dhe mbështetjeje në mesin e popullatës.”, shkruan OEA.

OEA thotë se Qeveria duhet t’i japë përparsi qasjes bashkëpunuese me aleatët e saj, duhet pasur dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj.

“Oda Amerikane beson fuqishëm se Qeveria e Kosovës duhet t’i japë përparësi qasjes bashkëpunuese, duke shfrytëzuar fuqinë e aleancave të saj. Duke ruajtur kursin historik, i cili u ndërtua mbi bazën e besimit, dialogut dhe respektit të ndërsjellë me aleatët e saj, Kosova mund të vazhdojë të avancojë integrimin e saj euroatlantik, të përmirësojë pozitën e saj ndërkombëtare dhe të krijojë një klimë më të favorshme biznesi dhe investimi. Oda Ekonomike Amerikane i bënë thirrje Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në dialog të hapur dhe të sinqertë me partnerët e saj ndërkombëtarë, duke siguruar që të gjitha nismat e rëndësishme koordinohen me kujdes, me qëllim të mbrojtjes së interesave afatgjata të shtetit dhe ruajtjes së marrëdhënieve të forta të krijuara ndër vite.” – përfundon komunikata e Odës Amerikane.

Lajme të ngjashme