Nuk i kishte deklaruar 172 mijë euro, Ahmeti arsyetohet para gjykatës: Kursime familjare - NACIONALE

Nuk i kishte deklaruar 172 mijë euro, Ahmeti arsyetohet para gjykatës: Kursime familjare

1 orë më parë

nga NACIONALE

Ish-kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka dalë sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës, lidhur me akuzën për mosdeklarimin e 172 mijë e 600 eurove, sa ka qenë duke e ushtruar detyrën e kryetarit të Prishtinës.

Ahmeti para gjykatës është arsyetuar se kjo shumë ishte ndihmë financiare nga familja e tij dhe se disa herë i është nënshtruar kontrollit të plotë nga APK-ja, që sipas ligjit bëhet me llotari dhe përzgjidhen 20 për qind e zyrtarëve, raporton Betimi për Drejtësi.

Ai tutje tha se gjatë këtyre kontrolleve asnjëherë nuk ka marrë shkresë nga Agjencia.

“Gjatë kësaj periudhe, unë i jam nënshtruar disa herë kontrollit të plotë nga APK-ja, që sipas ligjit bëhet me llotari dhe përzgjidhen 20 për qind e zyrtarëve. Unë jam përzgjedhur disa herë në këtë procedurë dhe sipas Ligjit për Parandalimin e Korrupsionit, në qoftë se Agjencia gjen parregullsi, i shkruan zyrtarit dhe i jep afat 15 ditor që të përmirësojë deklarimin e pasurisë. Pas këtyre kontrolleve, nuk kam marrë asnjë shkresë nga Agjencia”, deklaroi Ahmeti.

Aktakuza thotë se Ahmeti nuk i ka deklaruar deponimet në para të gatshme të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse, si drejtpërdrejt ashtu edhe përmes bankomatëve në llogarinë e tij personale, në vlerën e përgjithshme prej 118 mijë e 200 euro, si dhe duke mos deklaruar mjetet financiare në shumë prej 54 mijë e 400 euro të pranuara në llogaritë personale të nënës së tij L.A., ku shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172 mijë e 600 euro.

Me këtë, akuzohet se në vazhdimësi ka kryer veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”’ , të përcaktuara me nenin 430, par.2 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal.

Lajme të ngjashme