“Nuk i kemi pasur votat”: Qysh e pranoi Haxhiu se Qeveria Kurti dështoi për projekt-kodin civil?
Projekt-kodi civil, që parasheh bashkësitë civile të seksit të njëjtë, është një nga temat më të përfolura gjatë vitit 2023.
Ndonëse planifikohej të votohej më 2023, kjo nismë e Ministrisë së Drejtësisë u shty për vitin 2024. Arsyen pse u shty ky projekt-kod civil e ka thënë vetë Albulena Haxhiu, ministre e Drejtësisë.
Gjatë një intervistë për Kosova Press, ka deklaruar se pushteti i VV-së nuk i ka pasur votat.
“Është e rëndësishme që të kalojë (Kodi Civil), sidomos kur ne jemi në prag, gjegjësisht në fazat e anëtarësimit në Këshillin e Evropës. Madje edhe në një prej raporteve të ekspertëve të Këshillit të Evropës të cilët e kanë vlerësuar gjendjen në Kosovë që është një fazë që bëhet para anëtarësimit, është përmendur rëndësia e kalimit të Kodit Civil. Ne nuk e kemi proceduar, gjegjësisht e kemi shtyrë për këtë vit, e kemi pasur plan që në vitin 2023 ta procedojmë, por nuk i kemi pasur votat në Kuvend. Gjegjësisht, ideja është që të mos shkojë sërish në Kuvend dhe të dështojë sërish, sepse do të jetë goditje për Kosovën, sikurse edhe goditje edhe për qeverinë, sepse një çështje që është e rëndësishme për qeverinë që ndërlidhet me të drejtat e njeriut… Nuk kemi nevojë ta procedojmë pa u siguruar që kalon. Por unë jam e bindur që shumë shpejt do ta procedojmë dhe mund të kemi sukses në përpjekjen tonë”, ka deklaruar Haxhiu.
Sjellim ndërmend që disa deputetë të VV-së, përfshirë Eman Rrahmani, Visar Korenicën e Gramos Agushollin, e kanë kundërshtuar këtë nismë të Qeverisë Kurti.