Njohësi i ekonomisë për ndarjen buxhetore: Qeveria po hakmerret ndaj atyre që s’e kanë votuar
Njohësi i ekonomisë, Arton Muhaxheri ka thënë se kjo Qeveri me ndarjen e buxhetit po iu hakmerret qytetarëve që së kanë votuar atë.
Ai në një intervistë për Ekonomia Online, ka thënë se në komunat ku ka fituar VV-ja është ndarë buxheti 52 pë qind për investime kapitale, ndërkohë që ka shtuar se me ‘këtë ndarje i ka dhënë dy mesazhe, mesazhin politik dhe mesazhin ekonomik, duke tentuar t’i varfërojë komunat duke mos i shpërndarë buxhet’.
“Qeveria e Kosovës me ndarjen e buxhetit nëpër komunat e ka dhënë një mesazh politik dhe jo vetëm ekonomik. Mesazhi politik është sepse ai me këtë buxhet i ka frikësuar qytetarët se nëse nuk më votoni për neve, komunat që nuk i keni votuar nuk do të kenë buxhet të mjaftueshëm. Ndërsa në komunat ku ka fituar VV-ja, është ndarë 52 për qind e buxhetit të përgjithshëm për investime kapitale, dhe kjo tregon jashtëzakonisht qartë se ka është e orientuar dhe si po hakmerret kjo Qeveri ndaj qytetarëve të cilët nuk e kanë votuar në zgjedhjet e fundit lokale. Realisht me këtë ndarje i ka dhënë dy mesazhe, mesazhin politik dhe mesazhin ekonomik, duke tentuar t’i varfërojë komunat duke mos i shpërndarë buxhet”, ka thënë Muhaxheri.
Muhaxheri tutje është shprehur se me këtë ndarje të vogël të buxhetit për disa komuna, disa nga projektet e planifikuara mund të mbesin pa i trajtuar fare.
“Shumica e projekteve që i kanë bërë komunat i mbesin që t’i trajtojë këto probleme, sepse me aq mjete sa ka ndarë Qeveria, nuk mjafton për t’i finalizuar të gjitha ato projekte të cilat i kanë planifikuar, prandaj secila komunë që ka pësuar nga ndarja buxhetore, duhet të mbështetet në forcat e veta, për të pasur mundësi që t’i trajtojnë dhe t’i rregullojnë projektet e nisura ose të reja”, ka thënë ndër të tjera ai.
