Një person u ankua se u keqtrajtua nga Policia në Leposaviq, IPK ngre rast për kallëzim të rremè
IPK përmes një komunikate për media ka treguar se një person ishte ankuar për trajtimin nga Policia e Kosovës. Por më pas, doli se gjithçka kishte qenë e pavërtetë.
Incidenti raportohet të ketë ndodhur tek Ura e Bistricës në Leposaviq pak pas orës 22:00 të datës 13 janar 2026.
Sipas ankuesit, zyrtarë të Policisë së Kosovës e kishin ndaluar të njëjtin në një pikë kontrolli në këtë lokacion deri sa i njëjti ishte duke drejtuar një automjet të markës Audi A4 me targa të Republikës së Serbisë dhe se i njëjti kishte brenda veturës së tij edhe dy pasagjerë.
Në kuadër të veprimeve hetimore është intervistuar ankuesi në cilësinë dëshmitarit në prezencën e avokatit të tij mbrojtës ku i njëjti ka deklaruar se gjatë kontrollit nga zyrtarë të Policisë së Kosovës ishte keqtrajtuar dhe goditur nga zyrtarët policorë.
I njëjti ka potencuar para hetuesve të IPK-së se si pasojë e këtij keqtrajtimi kishte pësuar lëndime prapa në qafë, në bërrylin e majtë, në dorën e djathtë dhe në këmbë nga zyrtari policor i cili e kishte bërë kontrollin sipërfaqësor në trup dhe për këtë ka kërkuar trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal në Mitrovicë – Veri.
Hetuesit e IPK-së në kuadër të veprimeve hetimore dhe të procesit të verifikimit të pretendimeve të ankuesit kanë siguruar prova duke përfshirë edhe video incizim nga kamerat e sigurisë që kanë mbuluar me pamje vendin ku është kryer ndalesa në pikën e kontrollit nga zyrtarët policorë.
“Nga procesi i analizimit të video incizimeve hetuesit e IPK-së kanë vërejtur se pretendimet e ankuesit janë të sajuara dhe të njëjtat i janë paraqitur prokurorit të Prokurorisë Themelore në Mitrovicë i cili ka kërkuar që ndaj ankuesit tani i dyshuar të iniciohet rast dhe hetim penal me dyshimin për veprën penale “Lajmërim i rremë apo kallëzim i rremë”, përfundon njoftimi.