Një organizatë izraelite e padit kryeministrin spanjoll në GjNP për shkak të eksporteve në Iran - NACIONALE

Një organizatë izraelite e padit kryeministrin spanjoll në GjNP për shkak të eksporteve në Iran

2 muaj më parë

nga NACIONALE

Një organizatë joqeveritare izraelite thotë se ka kërkuar nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (GjNP) që të shqyrtojë masa ligjore kundër kryeministrit të Spanjës, Pedro Sanchez, nën akuzën për “ndihmë për krime lufte” përmes eksporteve në Iran.

Ankesa vjen në kohën e një përplasjeje diplomatike që po përshkallëzohet mes dy vendeve, e filluar me nisjen e luftës në Gaza në tetorin e vitit 2023 dhe e përkeqësuar pas njohjes së një shteti palestinez nga Spanja më vonë, shkruan gazeta “The Times of Israel”.

E paraqitur nga organizata “Shurat HaDin”, e cila ka ndërmarrë veprime ligjore në mbarë botën kundër atyre që i quan “armiq të Izraelit”, padia e akuzon Spanjën për ofrim të “pjesëve përbërëse që kërkohen nga regjimi në Teheran dhe grupet prokura të tij për qëllime ushtarake”.

Në ankesën që mbështetet në Nenin 15 të Statutit të Romës, pretendohet se Spanja e ka miratuar eksportimin e produkteve me përdorim të dyfishtë me vlerë të rreth 1,3 milion eurove që mund të përdoren në detonatorë dhe produkte të tjera të lidhura me lëndë shpërthyese.

“Këto materiale nuk janë produkte të pafajshme industriale, por pjesë përbërëse jetike që u mundësojnë mjeteve shpërthyese të funksionojnë dhe ato u transferuan në rrethana ku përdorimi i tyre për sulme kundër civilëve ishte i parashikueshëm dhe i arsyeshëm” – tha në një deklaratë organizata “Shurat HaDin”.

Marrëdhëniet mes Izraelit dhe Spanjës janë përkeqësuar që nga lufta në Gaza më 2023. Izraelin e kanë zemëruar kritikat e vazhdueshme të kryeministrit spanjoll.

Lajme të ngjashme