Një jetë në shërbim të vendit: Xhafer Lokaj mbyll karrierën 50-vjeçare me një surprizë të veçantë nga kolegët - NACIONALE

Një jetë në shërbim të vendit: Xhafer Lokaj mbyll karrierën 50-vjeçare me një surprizë të veçantë nga kolegët

1 orë më parë

nga NACIONALE

Pas një rrugëtimi gati pesëdekadësh në fushën e sigurisë, rreshteri i Policisë së Kosovës, Xhafer Lokaj, ka përmbyllur karrierën e tij profesionale, duke lënë pas një histori të gjatë përkushtimi, sakrifice dhe shërbimi ndaj qytetarëve.

Që në moshë të re, Xhafer Lokaj nisi rrugëtimin e tij në këtë profesion. Në vitin 1977 u pranua në Akademinë Policore në Vushtrri, në gjeneraten e shtatë të Shkollës së Mesme të Punëve të Brendshme. Pesë vite me vonë nisi shërbimin në Gjakovë dhe Pejë.

Karriera e tij u zhvillua në një periudhë të vështirë për Kosovën, veçanërisht gjatë viteve ’80 dhe ’90, kur qytetarët përballeshin me presionin e regjimit serbosllav. Gjatë kësaj kohe, Lokaj kujtohet nga shumë qytetarë për qëndrimin e tij njerëzor dhe për faktin se, sipas dëshmive të tyre, në disa raste rrezikoi pozitën dhe sigurinë e tij për t’i mbrojtur njerëzit nga pasojat e represionit të atëhershëm.

Një nga rastet e përmendura nga qytetarët lidhet me periudhën e demonstratave në zonën e Rekës së Keqe të Gjakovës, ku kërkesat për liri dhe të drejta shoqëroheshin me rrezik të madh për pjesëmarrësit. Po ashtu, përmendet edhe rasti i aktivistit Sylejmon Beqa nga Mulliqi i Gjakovës, ku sipas dëshmive të kohës, Lokaj kishte zgjedhur të ndihmonte një qytetar të rrezikuar nga ndjekja e regjimit.

Në fillim të viteve ’90, sikurse shumë policë shqiptarë të asaj periudhe, Xhafer Lokaj refuzoi të vazhdonte shërbimin nën regjimin serbosllav dhe u largua nga puna, duke ruajtur bindjet dhe dinjitetin e tij.

Pas çlirimit të Kosovës, në vitin 2001, ai iu bashkua Policisë së Kosovës, duke vazhduar misionin e tij në shërbim të rendit dhe sigurisë deri sot.

Fillimisht shërbeu në Stacionin Policor të Deçanit, ndërsa më pas për 18 vite dha kontribut në Stacionin Policor të Junikut.

Gjatë shërbimit në Junik, Lokaj mbajti edhe pozita udhëheqëse. Për gjashtë vite ishte komandant i Nënstacionit Policor të Junikut, ndërsa nga viti 2012 deri në vitin 2024 shërbeu si shef i operativës së Stacionit Policor të Junikut. E krejtësisht në fund, u rikthye në Decan, në vendin ku edhe rifilloi gjithçka.

Pas një jete të kaluar në shërbim të qytetarëve dhe vendit, Xhafer Lokaj largohet nga uniforma, por jo nga respekti i atyre që e njohën. Gjurmët e një karriere të ndërtuar mbi përkushtim, guxim dhe përgjegjësi mbeten dëshmi e një rrugëtimi të veçantë në historinë e shërbimit policor në Kosovë.

Ndërsa sot, në ditën e pensionimit, ai u përcoll nga miqtë dhe kolegët në mënyrën më madhështore të mundshme, të cilët e falënderuan për kontributin e tij të çmuar gjatë gjithë viteve të shërbimit.

Lajme të ngjashme