Një delegacion i Hamasit nesër në Kajro, vazhdojnë bisedimet për armëpushim - NACIONALE

Një delegacion i Hamasit nesër në Kajro, vazhdojnë bisedimet për armëpushim

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një delegacion i Hamasit, me kërkesë të Egjiptit, do të niset të dielën për në Kajro për t’i diskutuar zhvillimet rreth përpjekjeve për të siguruar një marrëveshje armëpushimi për luftën në Rripin e Gazës, sipas një burimi të lartë të grupit që u citua nga televizioni “Al Jazeera”.

Burimi citohet të ketë përshkruar bisedime “intensive” mes udhëheqësit të Hamasit, Ismail Haniyeh, dhe ndërmjetësve egjiptianë gjatë disa orëve të fundit, gjatë të cilave figura e lartë e Hamasit me vendqëndrim në Katar e ritheksoi këmbënguljen e grupit për rikthimin e pakufizuar të palestinezëve në veri të Gazës, për një armëpushim të përhershëm si dhe për tërheqje të plotë të forcave izraelite nga Rripi i Gazës si kushte për lirimin e pengjeve – kërkesa që Izraeli vazhdimisht i ka refuzuar, duke i quajtur deluzive.

Besohet se 129 pengje të rrëmbyera nga Hamasi më 7 tetor mbeten në Gaza – jo të gjitha gjallë – pasi 105 civilë u liruan nga duart e Hamasit gjatë një armëpushimi njëjavor në fund të nëntorit të vitit të kaluar, ndërsa katër pengje të tjera ishin liruar para armëpushimit, raporton gazeta "The Times of Israel".

Tri pengje janë shpëtuar të gjalla nga ushtarët izraelitë, ndërsa janë tërhequr trupat e 12 pengjeve të tjera, përfshirë tre të vrarë gabimisht nga ushtria.

Lajme të ngjashme