Nisma e Osmanit për pajtim, Maloku: Do ta ketë fatin e njëjtë sikurse iniciativa e Thaçit
Dje u kuptua që Vjosa Osmani, presidente e Kosovës, ka rinisur idenë e Komisionit për të Vërtetën dhe Pajtimin, të cilin e kishte nisur në vitin 2017 ish-presidenti Hashim Thaçit.
Në një përgjigje për Nacionalen, politologu Albinot Maloku vlerësoi se këto komisione kanë pasur sukses të kufizuar.
Madje, në përgjigjën e tij, Maloku tha se nisma e Osmanit do ta ketë të njëjtin fat sikurse ajo e Thaçit.
“Dështimi ka qenë i ditur nga se Komisionet e së Vërtetës dhe Pajtimit nuk janë iniciuar sinqerisht e me pendim nga agresori e dhunuesi, që ka qenë njësia federative e SFRJ, Serbia. Të dhunuarat, Kroacia, Bosnje dhe Hercegovina e Kosova e kanë pasur vullnetin e angazhimit, por fuqinë e efektit gati zero. Komisionet e së Vërtetës dhe Pajtimit nuk themelohen njëanshëm! Të njëjtat do të duhej të krijoheshin menjëherë pas luftërave, do të thotë nga dora e parë e pjesëmarrësve në ato luftëra, e themelimi i tyre të iniciohej nga agresori duke kërkuar falje e shpreh vullnetin, që me sinqeritet të punohej në pajtim. Kjo nuk ndodhi! Komisionet e së Vërtetës dhe Pajtimit dështuan!
Edhe iniciativa e presidentes Osmani-Sadriu, për të themeluar atë Komision, do ta ketë fatin e njëjtë siç e kishte iniciativa e ish-presidentit Thaçi. Nëse sinqerisht e ka vullnetin presidentja e Kosovës, ka me bollëk punë, të angazhohet për fatin e të pa gjeturve dhe ofrimin e angazhimit të saj, në efikasitetin e punës së Institutit për Hulumtimin dhe Dokumentimin e Krimeve të kryera gjatë luftës në Kosovë!” – tha Maloku, ndër të tjera.