Ngulfatja në objektin e Pallatit të Drejtësisë – Një prokuror ka pësuar sulm në tru
Tash e tri ditë punëtorët e Prokurorisë dhe Gjykatave po protestojnë për mungesën e kushteve elementare në punë.
Mungesa e ajrosjes dhe klimatizimit po shkakton “ngulfatjen” e punëtorëve aty.
Më herët Gazeta Nacionale kishte raportuar se si dhjetëra punëtor, kanë pësuar alivanosje gjatë orarit të punës.
Ndërsa sot Burim Neziraj, udhëheqës i kësaj proteste, i ka thënë Betimit Për Drejtësi, se një prokuror ka pësuar sulm në tru si pasojë e mungesës së ajrimit aty.
“Ne që tri ditë e kemi fillu këtë protestë, me qëllim të përmirësimi të kushteve të punës. Ne në këtë situatë vere, në këtë të nxehtë ne po ballafaqohemi me shumë probleme, kryesisht me ajrim. Ajri nuk është i mjaftueshëm, nuk ka ventilim të mjaftueshëm, pothuajse nuk është funksional, është një problem tjetër klimatizimi. Temperaturat në dhomë krijohen deri në 35 gradë sipas regjistrimeve që i kanë bërë vetë aparatat që janë në zyrë, është një temperaturë që po na shkakton përkeqësim të gjendjes shëndetësore të stafit, duke përfshirë edhe prokurorë edhe zyrtarë”, tha Neziraj.
Sipas tij, alivanosjet e punëtorëve deri tek sulmet në tru, janë indikacione që kërkesat e kahershme drejtuar institucioneve përgjegjëse nuk janë realizuar.
Në fund, kryetari i Këshillit Grevist theksoi se protesta në ditët e ardhshme do të bëhet tërëditore nëse nuk iu plotësohen kërkesat. /BetimiperDrejtesi.