Ngrihet aktakuzë për spiunazh ndaj Aleksander Vlajiq: Dyshohet se i dha informacione BIA-s serbe
Prokuroria Speciale e Kosovës ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit Aleksander Vlajiq, ish-polic në Policinë e Kosovës, për veprën penale “Spiunazh”, si dhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.
Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, i pandehuri akuzohet se nga një datë e pacaktuar e deri në momentin e arrestimit më 26.06.2024, në cilësinë e Agjentit Rezident, ka mbledhur dhe ia ka dërguar Agjencisë së Inteligjencës dhe Sigurisë së Republikës së Serbisë informacione dhe dokumente të rëndësishme, të cilat cenojnë rendin kushtetues dhe sigurinë e Republikës së Kosovës, si dhe jetën e zyrtarëve shtetërorë dhe të qytetarëve të saj.
“Nga provat e siguruara ka rezultuar se i pandehuri A.V. kishte krijuar një rrjet të punësuarish në organizatat ndërkombëtare në Kosovë, të nacionalitetit serb, nga të cilët kishte pranuar informacione dhe raporte të punës së këtyre organizatave që ndërlidheshin me aspektet politike dhe të sigurisë në Kosovë. Po ashtu, kishte mbledhur informacione për persona të nacionalitetit serb, me qëllim që t’i paraqiste si bashkëpunëtorë të strukturave të sigurisë së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Sipas Prokurorisë, i pandehuri i kishte dërguar informacionet e mbledhura R.G.-së, shef i njërës prej qendrave të BIA-s në territorin e Serbisë.
“I pandehuri informacionet dhe dokumentet e siguruara ia kishte përcjellë zyrtarit të lartë të BIA-s, R.G., përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike.”
“Gjatë bastisjes së shtëpisë së të akuzuarit nga ana e Policisë së Kosovës, atij i janë gjetur në posedim, pa autorizim dhe në kundërshtim me ligjin në fuqi, një armë e modelit Crvena Zastava dhe një spërkatës me gaz lotsjellës, të cilat janë sekuestruar në vendin e ngjarjes.
Prokurori i rastit i ka propozuar Gjykatës Themelore në Prishtinë që të pandehurit A.V. t’i vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor, si dhe të shpallet fajtor për veprat penale për të cilat akuzohet, duke u detyruar të paguajë edhe shpenzimet e procedurës penale.” – thuhet në njoftim.