Ngrihet aktakuzë ndaj personit që ka kryer sulm kibernetik ndaj gazetës “Nacionale”
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka ngritur aktakuzë kundër personit i cili në korrik të vitit të kaluar ka kryer sulm kibernetik ndaj gazetës “Nacionale”.
Në komunikate për medie të prokurorisë është thënë se i pandehuri S.Ç. me veprimin e tij ka kryer në vazhdimësi veprën penale “Hyrja në sistemet kompjuterike”, nga neni 327, paragrafi 1 lidhur me nenin 77 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.
“Sipas aktakuzës, më 10 korrik 2022 në Prishtinë, i pandehuri i lartcekur, përmes Laptopit të tij të llojit “Lenovo”, pa autorizim dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo të shkaktimit të dëmit të personit tjetër, ka kryer sulm kibernetik të llojit DDoS ndaj të dëmtuarës portalit “Nacionale”, i cili ka rezultuar me degradimin dhe mosfunksionim normal të portalit, e po ashtu më 13 korrik 2022, i njëjti e ka skanuar në vazhdimësi ëeb faqen e të dëmtuarës përmes programeve të veçanta nëpërmjet internetit dhe ka tentuar të qaset edhe në panelin (indeks fajllin) e ëeb faqes me qëllim që të gjejë dobësi për tu qasur pa autorizim brenda sajtit, andaj me këtë ka kryer veprën penale të lartcekur”, është thënë në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria ka kërkuar që i pandehuri të shpallet fajtor për veprën e kryer.
“Prokurori i Shtetit me rastin e ngritjes së aktakuzës i ka propozuar Gjykatës që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit për veprën penale e cila i vihet në barrë”, është thënë në njoftim.
Vitin e kaluar gazeta Nacionale ishte përballur me sulme të mëdha kibernetike. Sulmet kishin vazhduar me muaj të terë. Këto raste gazeta i kishte raportuar në Policinë e Kosovës.