Nga sot e tutje të rinjtë deri në moshën 25-vjeçare mund të aplikojnë për FSK
Ministri i Mbrojtjes, Armed Mehaj është deklaruar pas miratimit të tri projektligjeve për Forcën e Sigurisë së Kosovës në Kuvendin e Kosovës.
Mehaj ka njoftuar se tashmë nuk ka kufizim të numrin dhe të drejtë aplikimi kanë të gjithë të rinjtë deri në 25-vjeç në Ushtrinë e Kosovës, pasi që deri tash të drejtë aplikim kanë pasur të rinjtë deri në moshën 23 vjeçare.
“Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës, për Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe për Ministrinë e Mbrojtjes. Miratimi edhe në lexim të dytë i këtyre projektligjeve krijon dhe fuqizon bazën ligjore për organizimin dhe funksionimin e Ministrisë së Mbrojtjes, FSK-së dhe të drejtat e obligimet për pjesëtarët e FSK-së. Projektligji për Shërbim në Forcën e Sigurisë së Kosovës rregullon kushtet e përgjithshme të shërbimit në FSK, e po ashtu përmes ndryshimit të kriterit të moshës së lejuar për aplikim, krijon mundësi më të mëdha për të gjithë ata të rinj deri në 25 vjeç të cilët duan të bëhen pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
Ai tutje ka thënë se projektligji për Forcën e Sigurisë së Kosovës, rregullon kompetencat, organizimin dhe funksionimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, fuqizimin e FSK-së përmes inicimit të programeve të veçanta financiare për mbështetje të forcës, fuqizimin e rolit të Shtabit të Përgjithshëm, e mbi të gjitha heqjen e kufizimeve sa i përket rekrutimit të pjesëtarëve aktiv dhe rezervë të FSK-së.
“Projektligji për Ministrinë e Mbrojtjes, rregullon kompetencat dhe fushëveprimin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe të Ministrit te Mbrojtjes. Gjithashtu, ky ligj rregullon edhe përbërjen e personelit të Ministrisë së Mbrojtjes, personel ky ushtarak dhe civil, si dhe fuqizimin e kontrollit dhe mbikqyrjes civile demokratike të Forcës së Sigurisë së Kosovës”, ka shkruar Mehaj.
