Nevoja për votat e Kurtit: Osmani i tregon Prattipatit për përmirësin “e sundimit të ligjit në veri”
Vjosa Osmani, Presidente e Kosovës, njoftoi se është takuar me u.d Ambasadoren amerikane, Anu Prattipati, të cilës, ndër të tjera, i ka treguar edhe sa është “përmirësuar sundimi i ligjit në veri të vendit”.
Osmani i kërkoi vazhdimin e Dialogut Strategjik të shkëputur pa afat nga Departament amerikan i Shtetit mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
“Duke folur për zhvillimet e fundit në vend, Presidentja Osmani vuri në pah edhe përmirësimet e dukshme në fushën e sigurisë dhe sundimit të ligjit në veri të vendit, të reflektuara në raportet e fundit të Policisë së Kosovës për rendin dhe ligjin gjatë vitit 2025. Sipas këtyre të dhënave, konfirmohet një situatë dukshëm më e qetë dhe më e sigurt për të gjithë qytetarët në atë pjesë të vendit,” thuhet në komunikatën e Presidencës.