Netanyahu thotë se Izraeli ka vrarë shkencëtarë të lartë bërthamorë të Iranit
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, tha se nga sulmet e vendit të tij në Iran janë vrarë shkencëtarë të lartë bërthamorë të këtij vendi. Ai gjithashtu bëri një kërcënim të tërthorë ndaj liderit të ri suprem të Iranit.
Netanyahu e shfrytëzoi konferencën e parë për gazetarë që nga fillimi i luftës për ta mbrojtur sulmin e përbashkët ushtarak me Shtetet e Bashkuara kundër Iranit, shkruan gazeta “The Guardian”.
Netanyahu tha se Irani “nuk është më i njëjti” pas gati dy javësh bombardime nga forcat izraelite e amerikane dhe se Teherani ka pësuar goditje ndaj Gardës Revolucionare dhe forcës paramilitare Basij.
Më tej, kryeministri izraelit tha se vendi i tij synon që t’ia parandalojë Iranit vendosjen e projekteve bërthamore e balistike nën tokë dhe se nga disa sulme izraelite janë vrarë shkencëtarë të lartë bërthamorë iranianë.
Udhëheqësi izraelit gjithashtu u zotua për vazhdimin e goditjeve ndaj Hezbollahut, pasi grupi i mbështetur nga Irani hapi zjarr në drejtim të Izraelit më 2 mars si hakmarrje për vrasjen e liderit suprem të Iranit në fillim të luftës.
“Ne do të nxjerrim një çmim të lartë nga Hezbollahu dhe është më mirë që qeveria libaneze të ecë para nesh dhe të marrë pjesë në këtë lëvizje” – tha Netanyahu.
Kur u pyet se çfarë veprimesh mund të ndërmarrë Izraeli kundër liderit të ri suprem të Iranit, Mojtaba Khamenei, dhe udhëheqësit të Hezbollahut, Naim Qassem, Netanyahu bëri një kërcënim të tërthortë:
“Nuk do të lëshoja politika të sigurimit jetësor për asnjërin nga udhëheqësit e organizatës terroriste... Nuk synoj që të jap një porosi të saktë këtu për atë se çfarë jemi duke planifikuar apo çfarë do të bëjmë” – tha ai.
Sipas Netanyahut, Teherani dhe Hezbollahu nuk i paraqesin më rreziqet e njëjta si dikur./Nacionale