Netanyahu thotë se Izraeli do të përmbahet nga sulmet ndaj Iranit “tash për tash”
Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka përshkruar Iranin dhe Hezbollahun si më të dobët se kurrë më parë dhe ka thënë se vendi i tij tash për tash është duke u përmbajtur nga sulmet ndaj Iranit, por duke lënë të kuptohej se lufta nuk ka marrë fund ende.
“Për momentin, zjarri është i përmbajtur”, sepse Izraeli është kundërpërgjigjur ndaj sulmeve iraniane, tha ai, raporton televizioni BBC.
Netanyahu shtoi se “nëse Irani e bën gabimin dhe na sulmon përsëri, ne do të përgjigjemi me forcë” dhe se “Izraeli e ka të drejtën e plotë për vetëmbrojtje dhe ne e ushtrojmë atë në nivelin që është i nevojshëm”.
Kryeministri izraelit i përmendi edhe bisedat e tij me presidentin amerikan, Donald Trump, me të cilin ka kontaktuar nga e diela, kur filluan sulmet.
Ndërkohë, ushtria izraelite lëshoi një “paralajmërim urgjent” për banorët e pjesës jugore të Libanit, posaçërisht ata që ndodhen në zonën Ziqoq Al-Mufdi, duke u bërë thirrje që të largohen nga shtëpitë e tyre dhe të zhvendosen në veri.
“Kushdo që është i pranishëm afër elementeve të Hezbollahut, objekteve të tyre dhe mjeteve të tyre të luftës është duke e rrezikuar jetën e vet” – tha një zëdhënës i ushtrisë izraelite.