Nënshkruhet deklarata për një kulturë politike me integritet, VV-ja nuk merr pjesë
Kryetarët e Forumeve Rinore Politike në Kosovë kanë nënshkruar një Deklaratë të Përbashkët, përmes së cilës zotohen për një kulturë politike me integritet, pa gjuhë urrejtjeje dhe pa dezinformim gjatë fushatave zgjedhore.
Në këtë nënshkrim nuk ka marrë pjesë Lëvizja Vetëvendosje, gjë që është kritikuar nga përfaqësuesit e tjerë rinorë.
Ky proces u mundësua nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike, në partneritet me Demo Finland.
Drejtoresha ekzekutive e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, Leonora Kryeziu, tha se programi është konceptuar si një platformë gjithëpërfshirëse dhe ka sjellë një arritje konkrete.
“Ky program, i zhvilluar nga Instituti i Prishtinës për Studime Politike në partneritet me Demo Finland, është konceptuar si një platformë gjithëpërfshirëse që u mundëson të rinjve nga të gjitha partitë politike të Kosovës të angazhohen në dialog, të shkëmbejnë ide dhe të ndërtojnë ura bashkëpunimi përtej ndarjeve partiake. Gjatë muajve, kjo platformë ka dëshmuar vlerën e saj të jashtëzakonshme. Edhe pse jo pa sfida, ajo ka treguar se ekziston vullnet i vërtetë për dialog, për shkëmbim idesh dhe për ndërtimin e besimit mes jush – të rinjve që përfaqësoni gjeneratën e ardhshme të lidershipit politik. Si rezultat i këtij bashkëpunimi të qëndrueshëm, sot kemi para vetes një arritje konkrete: Deklaratën e përbashkët të forumeve rinore”, tha ajo. /EO