Në takim ishte edhe Osmani, Kurti: Duhet një president që ua ngrohë zemrat të gjithëve, jo që përfshihet në polemika ditore
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti ka thënë në takimin me Lumir Abdixhikun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ku mori pjesë edhe Vjosa Osmani, nuk është folur për emrin e presidentit.
Megjithatë, ai u shpreh se duhet të një figurë “që ua ngrohë zemrat të gjithëve”, dhe jo që përfshihet në polemika ditore.
“VV konsideron se presidenti ose presidentja si shprehje e unitetit të popullit, si një figurë që duhet të ngrohë zemrat e të gjithë qytetarëve në kuptimin e vlerave dhe meritave profesionale, një personalitet që do të kishte shumë karakter të mirëpritur nga popullsia. Nuk do të paraqiste polin e katërt të pushtetit, do të duhej të ishte jashtë partive politike, dhe të mos ishte i përfshirë në polemika ditore le të themi.
Pra, ne jemi, të interesuar e të gatshëm të bashkëpunojmë me LDK-në se vendi ka nevojë për progres, por sa i përket pozitës së presidentit qëndrimi ynë është se nuk do të duhej të jetë pjesë e pushtetit politik, por e përfaqësimit të Republikës, ta shohim se çfarë do të sjellë komunikimi i ardhshëm. Nuk mund të sjell emër konkret, sepse do të duhej të ishte konsensual, të mos ishte i VV-së.
Nuk kemi folur për emra të presidentes ose presidentit, kemi folur për rrugën përpara në bashkëpunimin e VV-së me LDK-në dhe meqenëse kemi pasur situata të rivalitetit në Kuvend, nuk është kollaj që për këto pak orë para fillimit të seancës, t’i tejkalojmë të gjitha gjërat”, tha Kurti.