Në një bazë ajrore në Izrael dislokohen aeroplanë luftarakë amerikanë F-22 - NACIONALE

Në një bazë ajrore në Izrael dislokohen aeroplanë luftarakë amerikanë F-22

4 muaj më parë

nga NACIONALE

Aeroplanë luftarakë amerikanë të tipit F-22 u dislokuan në një bazë të Forcës Ajrore Izraelite në jug të Izraelit të martën, si pjesë e grumbullimit masiv të forcave ushtarake nga Shtetet e Bashkuara në Lindjen e Mesme, merr vesh gazeta “The Times of Israel”.

Aeroplanët ishin stacionuar në një bazë ajrore në Britani ditëve të fundit, sipas të dhënave të fluturimeve dhe vëzhguesve të aeroplanëve, ndërsa ishin parë duke u ngritur në qiell më herët të martën.

Arritja e tyre në Izrael është një hap tjetër i grumbullimit të aeroplanëve amerikanë në rajon, kur tensionet mes Iranit e Shteteve të Bashkuara paraqesin rrezik për të shpërthyer e për t’u shndërruar në luftë, thekson medium izraelit.

Thuhet se zyrtarët izraelitë besojnë se një sulm amerikan ndaj Iranit është i pashmangshëm dhe se udhëheqësit më të lartë ushtarakë të ShBA-së e Izraelit thuhet se kanë qenë në kontakt. Një zyrtar që u citua nga televizioni “Channel 12” të martën tha se arritja e një zgjidhjeje diplomatike në bisedimet mes Uashingtonit e Teheranit do të ishte “befasia e vitit”.

Gjithsej 12 aeroplanë luftarakë të tipit F-22 u panë duke u ngritur në qiell nga një bazë e Forcës Ajrore Mbretërore në Angli, edhe pse thuhet se njëri nga ta u kthye në bazë më pas për shkak të një problemi teknik.

Aeroplani F-22, që operohet ekskluzivisht nga Forca Ajrore e ShBA-së, është aeroplani luftarak më i avancuar në botë me superioritet në ajër, i prodhuar për të zhvilluar shpejtësi dhe manovrueshmëri të pashoqe si dhe për shkathtësi për luftë ajër – ajër.

Lajme të ngjashme