Në fjalimin në Kongres, Trumpi thotë se “sapo ka filluar” - NACIONALE

Në fjalimin në Kongres, Trumpi thotë se “sapo ka filluar”

1 vit më parë

nga NACIONALE

Gjashtë javë pas rikthimit në pushtet, presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, doli para Kongresit të kontrolluar nga Partia Republikane për të mbajtur një fjalim me lëvdata për administratën e vet.

“Ne kemi arritur më shumë për 43 ditë sesa që shumica e administratave kanë arritur brenda katër ose tetë vjetëve dhe ne sapo kemi filluar” – tha ai në seancën e përbashkët të Kongresit, raporton televizioni BBC.

Duke e përdorur hipërbolën e tij tashmë tipike, kreu i Shtëpisë së Bardhë tha se “shumë” njerëz besojnë se ky është fillimi më i suksesshëm i një presidence në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Ai e theksoi atë që e quajti ndryshim të disponimit kombëtar ndaj “krenarisë” dhe “besimit”. E krahasoi veten me Xhorxh Uashingtonin dhe u mburr me madhësinë e fitores në zgjedhje.

Trumpi i përmendi nënshkrimin e qindra urdhrave ekzekutivë, ngrirjen e ndihmave të jashtme, nivelin më të ulët të kalimeve të paligjshme kufitare dhe tërheqjen nga organizata e marrëveshje ndërkombëtare.

Presidenti amerikan foli për kohë të gjatë edhe për ndalimin e pjesëmarrjes së atletëve transgjinorë në sportet e vajzave e grave.

I thumboi kundërshtarët politikë, duke u tallur me refuzimin e tyre për t’i përshëndetur me brohoritje pjesët e fjalimit që po e mbante.

Pas rreth gjysmë ore duke u krenuar me veprimet në fillim të mandatit, Trumpi i përmendi edhe detyrat që ende duhej t’i arrijë. Përderisa tha se “optimizmi i bizneseve të vogla” është ngritur, e fajësoi ish-presidentin Joe Biden për gjendjen aktuale të ekonomisë, përfshirë çmimin e lartë të vezëve.

Ai premtoi se do ta “shpëtojë” ekonominë dhe se do të bëjë prioritetin e tij më të lartë “lehtësimin dramatik e të menjëhershëm për familjet punëtore”.

Trumpi pranoi se shtimi i një takse ndaj mallrave të importuara nga Kanadaja, Meksika e Kina mund të shkaktojë një “çrregullim” dhe se fermerët amerikanë mund të ndiejnë “një periudhë të mostretjes”./Nacionale

Lajme të ngjashme