Ndryshon moti në Kosovë, pas vapës priten stuhi dhe reshje
Në Kosovë parashihet ndryshim i motit, pas një periudhe të gjatë me kushte të qeta atmosferike. Paradite do të mbajë kryesisht me diell, me temperatura jashtëzakonisht të larta dhe zagushi.
Ndërkaq, gjatë pasdites pritet zhvillim i fuqishëm konvektiv, i cili do të shkaktojë destabilizim të atmosferës.
Vende-vende do të ketë rrebeshe shiu, të shoqëruara me vetëtima dhe bubullima, të cilat më pas pritet të organizohen dhe intensifikohen në pjesë të ndryshme të Kosovës, raporton meteoballkan.
Parashihen edhe stuhi të fuqishme lokale, me mundësi për rrebeshe intensive, breshër dhe shkarkime të fuqishme atmosferike në zona të caktuara.
Temperaturat do të mbeten shumë të larta, me maksimalet që pritet të arrijnë deri në 38 gradë Celsius.
Megjithatë, me ardhjen e reshjeve dhe erërave, temperaturat do të pësojnë ulje, veçanërisht gjatë kohëzgjatjes së rrebesheve.