Ndërmjetësimi për armëpushim në Gaza po lëviz në drejtim pozitiv, thotë burimi diplomatik - NACIONALE

Ndërmjetësimi për armëpushim në Gaza po lëviz në drejtim pozitiv, thotë burimi diplomatik

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Një burim diplomatik i ka thënë televizionit CNN se përpjekjet ndërmjetësuese për arritjen e një armëpushimi në Gaza janë duke lëvizur në drejtim pozitiv, “por ende nuk kanë përfunduar”.

Burimi gjithashtu tha se raportimet e reja rreth formës së mundshme të një pakti për armëpushim në Gaza “përshkruajnë një marrëveshje të cilën Hamasi do të ishte i përgatitur ta nënshkruante”, raporton televizioni CNN.

Burimi po i referohej një raportimi të mëhershëm të agjencisë së lajmeve “Reuters” të premten, në të cilin thuhet se Hamasi ua kishte paraqitur ndërmjetësve një propozim për armëpushim në Gaza, në fazën e parë të të cilit do të liroheshin pengjet gra, fëmijë, të moshuar e të sëmurë në këmbim të 700 deri në 1.000 të burgosurve palestinezë.

Në lirim do të përfshiheshin 100 të burgosur palestinezë që janë duke e vuajtur dënimin me burgim të përjetshëm në burgje izraelite si dhe lirimi i “rekruteve gra” të Izraelit që po mbahen në Gaza, sipas kësaj agjencie, që ka thënë se e ka parë propozimin.

Televizioni CNN raportoi të enjten vonë se Hamasi u kishte dërguar një përgjigje të re ndërmjetësve nga Egjipti dhe Katari gjatë kontakteve të vazhdueshme për një armëpushim e lirim të pengjeve në Gaza.

Televizioni amerikan më parë ka raportuar se në fazën e parë të një marrëveshjeje pritej përfshirja e një pauze humanitare 6-javore, lirimi i rreth 40 pengjeve izraelite dhe një numri të madh të të burgosurve palestinezë.

Lajme të ngjashme