Ndalimi i dinarit në Kosovë, Vuçiq raportohet se mbajti “takim urgjent” me disa ministra - NACIONALE

Ndalimi i dinarit në Kosovë, Vuçiq raportohet se mbajti “takim urgjent” me disa ministra

2 vjet më parë

nga NACIONALE

Mediat pro qeveritare në Beograd po raportojnë se presidenti serb, Aleksandër Vuçiq ka mbajtur një “takim urgjent” me disa prej ministrave, pas vendimit të Qeverisë së Kosovës për ta ndaluar përdorimin e dinarit në vendin tonë.

Sipas “N1”, mediat atje raportojnë se Vuçiq dhe disa ministra u takuan mbrëmjen e së martës, pas “refuzimit” të Qeverisë së Kosovës që të rishikojë vendimin, siç u sugjerua nga shtetet e QUINT-it.

Këto mediume kanë raportuar se në presidencën e Serbisë janë diskutuar “hapat e ardhshëm që do t’i ndërmarrë Beogradi”.

Ky takim, vjen pas vizitës së emisarit evropian për dialogun, Miroslav Lajçak i cili këto ditë qëndroi në Prishtinë e Beograd.

Vlen të theksohet, se dje pas takimit të tij me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi, Lajçak u pyet pikërisht mbi këtë çështje.

Ai konfirmoi se kanë diskutuar rreth vendimit për dinarin, por tha se më shumë informacione do të bëhen të ditura sot.

“E përmendem këtë çështje, vendimin e BQK-së, por nuk dua të sillem si zëdhënës i Qeverisë së Kosovës, do të ketë informacione nesër për ju, do të mësoni më shumë rreth kësaj.” tha ai.

Lajme të ngjashme