Ndahet nga jeta Rudina Dervishi, gazetarja e emisionit “Ditari” të Zërit të Amerikës
Gazetarja dhe drejtuesja e njohur e emisionit “Ditari” në kuadër të Zërit të Amerikës, Rudina Dervishi është ndarë nga jeta, të martën më 12 shtator në moshën 53-vjeçare.
Zëri i Amerikës përmes një postimi ka bërë të ditur se gazetarja Dervishi është përballur që dy vite me kancerin e gjirit.
“Rudina Dervishi, gazetarja dhe drejtuesja e njohur prej shumë vitesh e emisionit televiziv "Ditari" të Zërit të Amerikës, u nda nga jeta të martën, më 12 shtator, në moshën 53-vjeçare, pas një beteje dy vjeçare me kancerin e gjirit. Ikja e saj e parakohshme, është një humbje e madhe për familjen dhe për kolegët e saj të Shërbimit Shqip të Zërit të Amerikës.” – thuhet në njoftim.
Ajo ka dhënë një kontribut të çmuar profesional për më shumë se 25 vjet, duke mbuluar tema të ndryshme nga ekonomia, politika etj.
“Për më shumë se 25 vjet, Rudina dha një kontribut të çmuar me profesionalizmin e saj si një gazetare e apasionuar, duke mbuluar tema të shumëllojshme nga ekonomia, politika, të drejtat e njeriut dhe të gruas, e deri tek arti.”