NATO konfirmon dhe dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë - NACIONALE

NATO konfirmon dhe dënon sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë

4 vjet më parë

nga Miranda Shala

Aleatët e NATO-s kanë dënuar të enjten një sulm kibernetik kundër Shqipërisë për të cilin qeveritë në Uashington dhe Tiranë e kanë fajësuar Iranin.

Për kryerjen e këtij sulmi në muajin korrik, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin të mërkurën me kryeministrin Edi Rama i cili u dha diplomatëve të saj 24 orë për të mbyllur ambasadën dhe për t'u larguar nga vendi.

Lidhur me çështjen edhe NATO ka reaguar me një deklaratë solidariteti ndaj Shqipërisë.

Në deklaratën e lëshuar nga NATO, thuhet se:

“Ne qëndrojmë në solidaritet me Shqipërinë pas sulmit të fundit kibernetik në infrastrukturën e saj kombëtare të informacionit. Aleatët pranojnë deklaratat e Shqipërisë dhe aleatëve të tjerë që ia atribuojnë përgjegjësinë për sulmin kibernetik Qeverisë së Iranit. Ne dënojmë fuqishëm aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike të krijuara për të destabilizuar dhe dëmtuar sigurinë e një aleati dhe për të prishur jetën e përditshme të qytetarëve. NATO dhe aleatët mbështesin Shqipërinë në forcimin e aftësive të saj të mbrojtjes kibernetike për të përballuar dhe zmbrapsur aktivitete të tilla keqdashëse kibernetike në të ardhmen.”

Ndër të tjera në deklaratën e aleancës thuhet se: “Aktorët keqdashës kërkojnë të degradojnë infrastrukturën tonë kritike, të ndërhyjnë në shërbimet tona qeveritare, të nxjerrin inteligjencë, të vjedhin pronën intelektuale dhe të pengojnë aktivitetet tona ushtarake, “ duke shtuar se aleatët janë të përkushtuar të mbrojnë infrastrukturën e tyre kritike, të krijojnë elasticitet dhe të forcojnë mbrojtjen e tyre kibernetike.”

Lajme të ngjashme