Nagavci: Në momentin që i kemi propozimet nga PDK dhe LDK, ne e tërheqim Konjufcën dhe Mulhaxha-Kollçakun
Shefja e Grupit Parlamentar të VV-së, Arbërie Nagavci, ka bërë me dije se partia e saj do t`i tërheq kandidaturat e saj për president, nëse PDK dhe LDK propozojnë emra.
Ajo ka bërë me dije se partia e Kurtit është në pritje të propozimeve të partive opozitare.
“Ne si Lëvizje Vetëvendosje, kemi propozuar nënkryetarin e Lëvizjes, zëvendëskryeministrin zotin Glauk Konjufca dhe zonjën Fatmire Mulhaxha-Kollçaku. Këto kanë qenë propozimet tona. Tani jemi edhe një hap tutje, kemi ofruar mundësinë që PDK dhe LDK, qoftë me dakordim të sjellin tre emra, qoftë cilado prej tyre të sjellë një propozim ose dy, dhe partia tjetër një propozim ose dy – pra mund të jenë edhe tre propozime ku një ose dy mund të vijnë nga PDK, një mund të vijë nga LDK. Ne jemi të gatshëm që në momentin që i kemi tre propozime nga PDK dhe LDK, të tërheqim emrat e kandidatëve tanë, zotit Glauk Konjufca dhe zonjës Fatmire Mulhaxha-Kollçaku dhe ato tre propozime të hidhen në votim në Kuvend. Dhe unë do t’u bëja thirrje partive PDK, LDK që të mendojnë dhe të propozojnë emra kredibilë, të cilët do t’i bënin nder vendit si president, me kusht që të mos jenë nga skena aktuale politike. Dhe situata është e qartë: nëse vijnë tre propozime për emra kredibilë, ne do t’i tërheqim edhe emrat tanë dhe vazhdojmë tutje, sepse jemi të bindur që edhe një palë zgjedhje të reja janë të padrejta, të panevojshme dhe nuk do të sillnin rezultate të reja”, ka thënë ajo.