Mustafa: Shoqëria civile është kastruar nga VV-ja - opozita sa për sy e faqe
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka folur rreth situatës në arsim dhe grevës e cila po vazhdon. Për këtë gjendje Mustafa lë fajtor qeverinë e Kosovës i cili mendon se ka prodhuar një “degradim shoqëror”
“Gjendja në arsim, me mosgatishmërinë e Qeverisë për të gjetur zgjidhje për pagat e mësimdhënësve flet më së miri për nivelin e degradimit jo vetëm qeverisës e institucional por edhe të degradimit shoqëror të vendit tonë. Të mbahen peng e tekeve të Qeverise dhe të shumicës së Kuvendit dhe të Presidencës së kapur nga Kurti mbi 300 mijë nxënës – fëmijët tanë e të mos ketë asnjë reflektim dhe asnjë reagim të mirëfilltë flet se këtij populli i pëlqen qeveria që e dhunon, që e gënjen dhe që e manipulon. Flet se shoqëria civile është kastruar nga VV-ja, as tenxheret nuk po i rrahë, kurse opozita po e trajton këtë problem sa për sy e faqe”, tha Mustafa për lajmi.net.
Sipas ish-kryetarit të LDK-së, Qeveria edhe sikur të mos kishte para të mjaftueshme do të duhej të huazonte, në mënyrë që të fillojë mësimi.
“Jo se qeveria ka mjaftë para, edhe si rezultat i inflacionit shumë të lartë, për t’iu përgjigjur kërkesave të mësimdhënësve por edhe sikur të mos kishte do duhej të huazonte për të filluar mësimin. Situata e krijuar, për fat të keq, flet se vendit po i mungon një demokraci elementare, etika qeverisëse dhe përgjegjësia e institucioneve ndaj qytetarëve”, mendon Isa Mustafa.
Ai theksoi se zgjidhje ka, por se duhet që përfaqësuesit e Qeverisë të mos shëtitën nëpër botë, derisa fëmijët bredhin rrugëve.
“Zgjidhje ka. Të ulen përfaqësuesit e Qeverisë ( të mos shëtitën nëpër botë kur fëmijët bredhin rrugëve) së bashku me përfaqësuesit e mësimdhënësve ( Sindikatat) dhe të mos ngriten nga tavolina pa filluar mësimi. Ose që ne prindërit e gjyshërit e fëmijëve, mbesave dhe nipave tonë, të vendosemi nëpër shkolla derisa të mos fillojë mësimi”,deklaroi ai.
Mustafa tha se në kohën e shtetit të pavarur institucionet e kapura nga Lëvizja Vetëvendosje kanë bllokuar zgjidhjen.
“Në kohën e okupimit serb, Institucionet tona i hapën shkollat në shtëpi private dhe siguruan financimin nga diaspora e qytetarët në Kosovë. Në kohën e shtetit të pavarur institucionet e kapura nga VV kanë bllokuar zgjidhjen dhe askush nuk lëvizë për të filluar mësimi. Ky turp i yni është grusht i rëndë ndaj pavarësisë”, shtoi ai.
