Mustafa për VV-në: S’dallojnë shumë prej rusëve sa i përket dhunës
Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka adresuar akuza të rënda në drejtim të VV-së dhe kryeministrin Albin Kurtin.
Ai ka thënë se ata nuk dallojnë shumë prej rusëve sa i përket dhunës.
Mustafa ka thënë se derisa rusët i kanë venë flakën Ukrainës, aktivistët e VV-së dikur i vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik.
“Kjo është qeveri e dhunës. Me dhunë, gurë, gaz lotsjellës, bomba molotovi, granata ka ardhur në pushtet. Jo me punë dhe merita qeverisëse. Edhe aty ku ka qeverisur ka dështuar, si Prishtina dhe Prizreni. S’dallon shumë prej rusëve sa i përket dhunës. Ata po ia vëjnë flakën Ukrainës, këta ia vënin flakën institucioneve të Kosovës për ta rrëzuar pushtetin demokratik. Duan të themelojnë ushtri paralele dhe organe paralele të drejtësisë. ‘Kushtetutë e pa Kushtetutë’ (mësim i keq dhe fatal)”, ka thënë Mustafa për “lajm.net”.
Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe presidentja Vjosa Osmani prej se kanë ardhur në pushtet flasin vetëm për luftë.
Sipas tij, ata kaftjall e drekë e kanë Rusinë dhe Serbinë.
“Që nga ardhja në pushtet flasin vetëm për luftën, thuaj se lufta nuk ka përfunduar. Kryeministri dhe presidentja, kaftjall e drekë e kanë Rusinë, Kinën, Serbinë. Sikur ne të ishim qendra e botës, ku do të fillojë ‘Dita e Kijametit’. Shumë më shumë janë të prirur të ndjellin luftë sesa të promovojnë paqe. Prandaj ata që ndjellin luftë, ta sjellin Serbinë te dera”, është shprehur Mustafa.