Mustafa për deklaratën e Trump: Të merret shumë seriozisht, të trajtohet me kujdes
Ish-kryeministri Isa Mustafa, në një deklaratë për Klan Kosova, ka thënë se deklaratat e Trump, në lidhje me ‘ndreçje përsëri të Kosovës e Serbisë’, duhet të merren shumë seriozisht dhe të trjatohen me kujdes.
“Deklarata e Presidentit Trump për riangazhim në çështjen e Kosovës duhet të merret shumë seriozisht dhe të trajtohet me kujdes. Do të kisha dëshiruar që Presidenti Trump të angazhohet për zbatimin e marrëveshjes Hoti-Vuçiq të vitit 2020 në Shtëpinë e Bardhë si dhe për një marrëveshje përfundimtare të negociuar në mes dy shteteve me ndërmjetësim amerikan dhe evropian. Por nuk shoh situatë që favorizon procese dhe zgjidhje të ngadalshme dhe të listimeve të kushteve. Aq më pak në qasjen Trump.”
Mustafa ka shtuar se duhet lidership i fuqishëm dhe i përgjegjshëm në Kosovë, për këso situata.
“Për këtë arsye Kosova duhet sa më parë ti ketë institucionet mbi bazën e zgjedhjeve të fundit ose të shkojë në zgjedhje të reja. Involvimi i Presidentit Trump kërkon një lidership të fuqishëm dhe të përgjegjshëm, kërkon po ashtu konsesus dhe komunikim të brendshëm sepse mund të gjendemi para situatave sfiduese.”.
Mustafa theksoi se konfiguracioni politik dhe i sigurisë në botë nuk është ai i vitit 2020 dhe i viteve të para tij.
“Krizat në botë, lufta në Ukrainë, konflikti Izrael-Iran, Gaza, presionet mbi Tajvanin…flasin se ka përfunduar qasja konvencionale e zgjidhjes së tyre.”, shtoi tutje ai.