Mustafa flet pasi Abdixhiku s’u takua me Begajn: Gjithmonë ka nevojë për mirëkuptim
Ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka folur pasi kryetari aktual i kësaj partie, Lumir Abdixhiku, nuk u takua me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj.
Mustafa ka thënë se marrëdhënia e Kosovës me Shqipërinë ka peshë dhe domethënie të veçantë, prandaj sipas tij, nuk janë të rëndësishme aspektet formale.
“Relacionet me Shqipërinë kanë peshë dhe domethënie të veçantë. Nuk janë vetëm shtetërore, politike, ekonomike … por edhe relacione brenda një kombi. Në këtë rrafsh kemi dëshirë që njëri-tjetrin ta shohim sa më mirë, sepse kështu fitojmë besim se jemi më të fortë. Prandaj edhe bëhen të pa rëndësishme aspektet formale, unë te ti apo ti te unë, kur e konsiderojmë veten pjesëtar të një familjeje”, ka thënë Mustafa për Gazetën Express.
Ai tutje shtoi se Kuvendi i Kosovës dhe Selia e LDK-së janë shtëpi e përbashkët, derisa tha se ka nevojë për mirëkuptim.
“Kemi shumë përvoja me Shqipërinë. Edhe në vitet e nëntëdhjeta, kur s’na pranonte askush si shtet, presidenti i Shqipërisë (SB) zbriste te hyrja e Presidencës dhe na merrte për krahu e brenda. Edhe në vitet pasuese. Shtëpi e jonë është Selia e LDK-së por edhe Kuvendi i Kosovës. Është edhe selia e Presidentit të Shqipërisë. Gjithmonë ka nevojë për mirëkuptim”, tha ai.
Vlen të theksohet se Gazeta Nacionale raportoi se presidenti i Republikës së Shqipërisë ka ftuar në takim kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhikun (ashtu siç mund të ketë ftuar edhe krerët e partive tjera parlamentare) por ka shtruar një kërkesë specifike: takimi të mos ndodhte në zyret e Lidhjes Demokratike.
Burime të Nacionales kanë njoftuar se Abdixhiku ka refuzuar krejtësisht kërkesën e presidentit shqiptar.
