Mustafa e quan Kurtin mashtrues: Postimin për LGBT nuk e poston në Facebook
Deputeti i LDK-së, Besian Mustafa, ka reaguar ndaj kryeministirt, Albin Kurti, që sipas tij është mashtrues tipik.
Mustafa ka thënë se Kurti po e përdor rrjetin social Twitter për shkrimet që kanë të bëjnë me komunitetin LGBT për t’i ruajtur votat.
“Mashtrues tipik. Poston në Twitter në anglisht për t’i mashtruar votuesit e tij pro-LGBT por nuk e poston të njejtën në Facebook në shqip për t’i mashtruar votuesit e tij anti-LGBT. Dmth ky nuk ka parime, ka vetëm taktika për grabitje votash. Mashtrues tipik.” – ka shkruar Mustafa.
Ndërkohë, Kurti në Twitter ka publikuar fotografi nga ndriçimi i ndërtesës së Qeverisë me ngjyrat e flamurit të LGBT + në Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë
“Sot qeveria jonë u ndez me ngjyrat e ylberit për të shënuar Ditën Ndërkombëtare Kundër Homofobisë, Transfobisë dhe Bifobisë. Është një e drejtë themelore të jetosh dhe të lulëzosh në mënyrë autentike pa frikë, gjykim, kërcënim ose diskriminim. Si qeveri, ne qëndrojmë të bashkuar në diversitet.” – ka shkruar Kurti.
