Mustafa: Draft-statuti i Ekipit Menaxhues i ka mbetur në derë Kurtit
Ish-kryeministrit Isa Mustafa ka komentuar vendin e Qeverisë së Kosovës për të shkarkuar Ekipin Menaxhues, i cili me 2 maj në Bruksel ka prezantuar një draft-statut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe.
Në një intervistë për gazetën Nacionale, ai ka thënë se ky ekip është dashur të ndërrohet më herët.
Ai ka bërë me dije se tani ky draft i ka mbetur në derë kryeministrit Kurti.
“Ekipi Menaxhues është dashur të ndërrohet para se ta fillojnë punën dhe të caktohet nga Qeveria Kurti. Por, Kurti nuk e ka bërë këtë, sepse nuk ka dashur ta pranojë publikisht se ekipi i tij po e harton një draft të statutit të “Zajednicës” së tij. Tani ky draft i ka mbetur në derë, e shkarkoi apo jo!”, ka thënë Mustafa.
Ish-kryetari i LDK-së ka treguar se ky draft nuk ka të bëj fare me marrëveshjet e vitit 2013 dhe 2015.
“Drafti flet për Asociacionin e komunave serbe, Marrëveshja e vitit 2913/2015 flet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. S’kanë asgjë të përbashkët, qoftë në titull apo në përmbajtje. Prandaj, nuk mund të shërbejë si pikënisje një dokument fantazmë, për të cilin nuk është dialoguar asnjëherë.”, është shprehur ai.
Gjithashtu, Mustafa ka treguar se Letra e Mogherinit, e cila flet për natyrën e kompetencave të Asociacionit, nuk vlejnë për vetmenaxhimin e serbëve.
“Por duhet të shtoj se Letra e Mogherinit dhe autoriteti i Gjykatës Kushtetuese vlen për Asociacionin, nuk vlejnë për vetmenaxhimin (Marrëveshjen e këtij viti, pika 7). Vetmenaxhimi/vetëqeverisja janë koncepte me kompetenca ekzekutive. Prandaj, Qeveria dhe Kurti duhet t’ia sqarojnë vetes dhe opinionit se çfarë detyrime kanë marrë me vetmenaxhimin e serbëve. Letra e Mogherinit këtu nuk i mbulon. Ndërkaq, Gjykata Kushtetuese nuk ka dhënë opinion për vetmenaxhimin e serbëve”, ka thënë Mustafa.
