Musliu: Realizimi i kërkesave të Policisë është puna e parë që duhet të bëj Kuvendi
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka ftuar Kuvendin e Kosovës për realizimin e kërkesave të Policisë së Kosovës.
Ajo ka bërë me dije se deputetët duhet ta bëjnë këtë gjë ose ta mbyllin gojën e të mos flasin për policët.
“Realizimi i kerkesave te Policise është puna e parë qe duhet të bëjmë si Kuvend, ose ta mbyllim gojen sepse Policia nuk ka nevojë për falenderimet e politikanëve. Ata po e kryejnë punen e tyre e ne duhet ta kryejme punen tone duke marre vendime konform nevojave dhe kerkesave te policise!”, ka shkruar Musliu në profilin e saj në “Facebook”.
Dje, Sindikata e Policisë së Kosovës ka dorëzuar peticion me mbi 5 mijë nënshkrime nga policët. Peticioni i është dërguar në Kuvend te Komisioni për të Drejtat e Njeriut.
Aty, Policia ka adresuar 10 kërkesa konkrete për përmirësimin e kushteve të punës.
10 kërkesat kryesore janë: Ligji i Pagave, shtesa për rrezikshmëri në punë, shtesa për punë të veçantë, klasifikim në koeficient për stafin civil, shujta mujore, shpërblimi për fundvit për performancë të mirë, tre paga përcjellëse për të pensionuarit, zbritja e përvojës së punës nga 0.5 në 0.25 për 15 vitet e para, sigurim shëndetësore dhe jetësor, ligji për pensionimin në Policinë e Kosovës.