Musliu: Pjesë e konventës ishin disa persona që nuk dinë asgjë për PDK-në
Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, ka vazhduar kritikat ndaj Konventës Programore të Gruas Demokratike të Kosovës, e cila është mbajtur të shtunën.
Në një intervistë dhënë gazetës Nacionale, ajo ka thënë se disa prej panelistëve të kësaj konvente nuk dinë asgjë për PDK-në.
Ajo nuk ka dashur t`i përmend me emra ata, duke thënë se nuk ka qenë faji i tyre që kanë qenë pjesë e paneleve.
“Ka pasur disa persona në panelet e mbajtura që jo që dinë pak, por nuk dinë asgjë për partinë tonë dhe as që duan ta dinë. Për mirësjellje sot nuk dua ta ceki askënd me emër sepse nuk ishte faji i tyre. Ajo që mua më habitë është nxitja që me çdo kusht të arrihet një shkëputje nga bazamenti i Partisë Demokratike, nga një rrugë sa e vështirë po aq e suksesshme. Thirren në pruarje të tilla që duan t´i shfrytëzojnë strukturat e partisë, por nuk identifikohen me të njëjtën parti. Është krejt e thjeshtë, ai që nuk e gjen vetën në këtë PDK nuk ka nevojë të vij fare. Nuk mund të thirren në emër të reformës duke synuar tjetërsimin e partisë”, ka thënë Musliu.